Erza Muminoviq fiton medaljen e bronztë në Argjentinë

08.10.18

Kosova sërish shkruan histori në sportin e xhudos, kësaj rradhe përmes xhudistes së re, Erza Muminoviq, duke e cila për herë të parë ka fituar medaljen e bronztë, në ‘Lojërat Olimpike për të Rinj’, që është mbajtur në Buenos Aires. Për xhudisten nga Peja, e cila garoi në kategorinë 44 kilogramë, fitorja ishte shumë e vështirë, një rrugëtim shumë i gjatë, me shumë punë, mund dhe sakrificë.
Trajneri i mirënjohur, Driton Kuka, prej të cilit po dalin vetëm triumfuesit, në një prononcim për Radio KFOR-in, na tregoi se emocionet e së dieles ishin shumë të mëdha.

“Që me pjesëmarrjen e parë të Kosovës në ‘Lojëra Olimpike për të Rinj’, fituam medaljen e parë dhe pas shumë garave na erdhi titulli i Kampiones Evropiane U18, kjo e bën këtë medalje me shumë vlerë. Natyrisht që emocionet janë të veçanta, pasi një vajzë kaq të re, pas një pune shumëvjeçare, me nga 6 orë ushtrime në ditë, ju shpagua mundi me medalje”, theksoi i entuziazmuar, trajneri Kuka.

Kujtojmë që Erza në muajin qershor të këtij viti, është shpallur kampione e Evropës për kadet, duke e mposhtur kroaten, Ana Viktorija Puljiz.