Bullizmi dhe ngacmimet, sfidë serioze për nxënësit në Kosovë

02.11.18

Bullizmi dhe ngacmimet vazhdojnë të mbeten tema shqetësuese, sidomos për nxënësit të cilët përballen me këto dukuri të shpeshta në Kosovë. Për të diskutuar për këtë çështje organizata ‘Blloqet e ndërtimit për sukses’, nesër (03.11.18) ka organizuar një aktivitet me nxënës, duke filluar nga ora 10:00 në ambientet e ‘American Corner’ në Prishtinë. Drejtoresha e organizatës ‘Blloqet e ndërtimit për sukses’ dhe ideatorja e projektit ‘Bulling Kosovo’, Znj. Rema Duli, në një intervistë ekskluzive për Radio KFOR-in, tregoi për aktivitetin e nesërm: 

Aktiviteti që do të mbahet, ka për qëllim që të ndihmojë nxënësit dhe shoqërinë për bullizmin dhe ngacmimin në shkollat e tyre por edhe në vendet ku jetojnë. Do të fillojmë me edukimin rreth ngacmimeve, për efektet e ngacmimeve dhe si të veprojmë në ato raste. Po ashtu do të flasim edhe për avokimin që zhvillon organizata jonë në forma të ndryshme”.

Znj. Duli më tej tregoi se aktiviteti do të përfshijë nxënës aktual të cilët kanë qenë viktimë e bullizmit të cilët do të ndajnë historitë e tyre me të tjerët, në mënyrë që të ndihmojnë në vetëdijësimin për këtë dukuri negative.

Organizata  ‘Blloqet e ndërtimit për sukses’, po ashtu do të publikoj të gjitha të dhënat nga 4 komuna: Prishtinë, Obiliq, Fushë Kosovë dhe Shtime mbi gjendjen e ngacmimeve.
Znj. Rema potencoi se është e shqetësuar veçanërisht me gjendjen e ngacmimeve në Prishtinë dhe tronditëse mbeten ngacmimet e mësimdhënësve ndaj nxënësve në Kosovë.