Organizata ‘George William Youth’, e zotuar për fuqizimin e rinisë në Kosovë

05.11.18

Organizata ‘George William Youth Association’ (përfaqësuese e organizatës ‘YMCA’ në Kosovë), në kuadër të projektit ‘Youth Speak - Question Time’, financuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, ka organizuar katër panele që kanë për qëllim  të fuqizojnë të rinjtë në Kosovë dhe për të krijuar mundësi për të diskutuar për çështje që i shqetësojnë ata. Asistent i këtij projekti nga kjo organizatë Adrian Sheremeti, për Radio  KFOR-in, tregoi për këto aktivitete duke vlerësuar së këto projekte ndihmojnë të rinjtë e vendit: 

Projekti ndahet në dy pjesë në panelet e diskutimit ku deri më tani kemi pasur 3 panele në Gjakovë, Pejë dhe Prizren, ku janë diskutuar tema si: Vullnetarizmi, Shëndeti Mendor, Fuqizimi i Rinisë, Ligji për rini, Nevojat e të rinjve/rejave nga komunitetet pakicë dhe Barazia Gjinore. Vlen të ceket se në panelin në Pejë kishim të ftuar dhe një panelist nga komuniteti serb dhe ne vlerësojmë që kjo ishte një mundësi shumë e mirë për të rinjtë nga Peja që të bëjnë pyetje direkte të cilat nuk do te kishin mundësi t‘i bëjnë. Në pjesën e dytë të projektit, janë 4 video informuese me tema të ndryshme si: ‘Punësimi i të rinjve dhe aftësitë e punës’, 'Të drejtat e komunitetit LGBTQI+’ dhe tema të tjera”, tregoi Sheremeti.  

Ndërkaq paneli i fundit në kuadër të këtij projekti do të mbahet në Prishtinë me 20 Nëntor të këtij viti, duke filluar nga ora 13:00 në Kino Armata.