Përfundon me sukses aktiviteti i bamirësisë ‘Let’s Dance’

05.11.18

Për të katërtin vit me radhë,  njerëz të vullnetit të mirë u bënë pjesë e ngjarjes me karakter bamirës ‘Let’s Dance’, organizuar nga Fondacioni ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’. Qëllimi i kësaj ngjarje është që të mbledhë fonde për të mbështetur programe të ndryshme shëndetësore për nëna dhe fëmijë, për të siguruar medikamente, pajisje mjekësore, e po ashtu edhe për të ofruar shërbime për foshnjat që kanë nevoj për trajtim mjekësor.
Drejtoresha Ekzekutive e Fondacionit ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’,  Mrika Aliu, për Radio KFOR-in, tregoi se ky organizim ka gjetur përkrahjen e shumë njerëzve të vullnetit të mirë:

Është emocionuese të shohësh se çdo vit, misioni i ‘Fondacionit Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’,  merr çdo herë e më shumë përkrahje nga komuniteti. Ekipi i Fondacionit, bashkë me grupin e vullnetarëve u angazhuan sërish me të gjitha forcat për ta realizuar edhe këtë vit ngjarjen Let’s Dance”, tregoi Mrika.

Nga ky aktivitet bamirës, nga sponsorizimet si dhe nga shitja e biletave, janë mbledhur rreth 27 mijë euro. Ngjarja e bamirësisë Let’s Dance, u organizua nga ‘Fondacioni Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’, në bashkëpunim me ‘Crimson  Capital’.