Stina Shala në “America's Got Talent”

05.11.18

Përkufizimi i termit ‘talent’, do të thotë dhunti e aftësi për të realizuar diçka në mënyrë të përsosur e kreative, zotësi që e shquan një njeri në një spektër të caktuar. E këtë dhunti padyshim që e gëzon edhe 12  vjeçarja nga Prishtina, Stina Shala, të cilës fillimisht familjarët ia spikatën talentin për këngën dhe ajo tani po vazhdon me realizimin e ëndërrave edhe më të mëdha.  Stina tashmë ka kaluar fazën e parë të audicioneve në “America’s Got Talent”, ndërsa për emocionet e saja lidhur me pjesëmarrjen në këtë spektakël të njohur botërisht, për Radio KFOR-in foli vet Stina:

“Jam shumë e lumtur që kam nisur të realizoj ëndërrën time, të cilën shpresoj ta plotësoj atë deri në fund. Më 2 nëntor i kam përfunduar me sukses audicionet, ku kam kënduar këngët “Mama Knows Best” dhe “ When I Was your Man”. Jam në ethe deri në përgjigjen që do ta marrim në muajin shkurt, nëse do të vazhdoj tutje spektaklin ‘America’s Got Talent’, i cili është i njohur botërisht”, theksoi e emocionuar për Radio KFOR-in, Stina.

Pas sukseseve të shumta në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Itali, ku ajo ka rrëmbyer çmime të shumta dhe është vlerësuar nga juri përkatëse profesionale, ajo së fundmi është duke realizuar një ëndërr edhe më të madhe. Radio KFOR-i, uron që Stina Shala të realizoj ëndrrën e saj për triumfim në këtë spektakël garues të talentëve të rinj.