Arben Llapashtica pasuron Wikipedian me fotografi të Kosovës, shpërblehet me vendin e parë në ‘Wiki Loves Monuments’

09.11.18

Në vazhdën e çmimeve të shumta të fituara në gara të ndryshme të fotografisë,fotografi i mirënjohur nga Kosova, Arben Llapashtica, së fundmi ka shtuar edhe një shpërblim të rëndësishëm në sirtar.
Në garën ndërkombëtare të fotografisë ”Wiki Loves Monuments”, Arbeni është vlerësuar me vendin e parë, me fotografinë e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Në një prononcim dhënë Radio KFOR-it, fotografi ynë na tregon se ky vlerësim ka rëndësi të posaçme për të, për shkak të promovimit të trashëgimisë kulturore të Kosovës në Encikopedinë e Lirë “Wikipedia”:

“Ndjehem mirë që vazhdoj kontributin tim për promovimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe Shqipërisë përmes fotografive të ndryshme që i realizoj. Organizatorët e Prishtinës për këtë garë po e bëjnë një punë të mrekullueshme, për arsye se pak vite më parë, nëse ke klikuar “KOSOVA”, çdo gjë ka qenë më e mangët, sidomos për fotografi, përderisa sot, postimet, redaktimet, ngarkimet e informatave, janë më te sakta dhe me të frytshme për Kosovën”, pohoi Abeni.

Për garën ndërkombëtare “Wiki Loves Monuments”, secili vend konkurrues ka përzgjedhur 10 foto, të cilat përmes kësaj gare me më së shumti fotografi të ngarkuara ndonjëherë (2 milion ngarkime), në fund është përzgjedhur më e bukura, fotografia e Arben Llapashticës.